Sunday, October 2, 2016
Friday, September 30, 2016
Mbi zhvillimin e dizajnit në Shqipëri Abstrakt
Neritan
KANANAJ
Albanian
University, Dizajn
Adresë kontakti:
kananaj.neritan@gmail.com
Mbi zhvillimin e
dizajnit në Shqipëri
Abstrakt
Qëllimi
i këtij studimi është të hetojë rëndësinë e
zhvillimit të dizajnit si disiplinë akademike, si dhe lidhjen e tij me kërkimin shkencor. Konkretisht, do të jepet
një pasqyrë e zhvillimit të dizajnit bashkëkohor në Shqipëri. Më tej do të
hulumtohet përballja e tij më nevojat dhe kërkesat e zhvillimit të teknologjisë
moderne, pa anashkaluar bashkëveprimin e tij me shkencat e tjera. Marrëdhëniet e dizenjatorit me politikat, me metodat, me bazën teorike
dhe lidhja me arsimin do të shërbejnë si pika referimi kyçe në këtë punim. Çështja e marrë në shqyrtim ka rëndësi
të veçantë po të kihet parasysh nevoja e studentëve të dizajnit për t’u profesionalizuar
më tej me anë të studimeve masteriale apo doktorale në universitet tona në
Shqipëri. Studimi mbyllet me idenë se kurset universitare bazë të dizajnit
duhet të përfshijnë teori shkencore dhe aftësi kërkimore si pjesë të
kurrikulave të tyre. Për më tepër, dizenjatorët
duhet të luajnë rol aktiv në punën kërkimore shkencore.
Fjalë kyçe: Dizajn, zhvillim, disiplinë akademike,
kërkim shkencor, bashkëkohor, Shqipëri.
1.1. Hyrje
Pikënisja e këtij punimi do të jetë përdorimi i praktikës profesionale. Marrëdhëniet e dizenjatorit me
politikat, me metodat, me bazën teorike dhe lidhja me arsimin kanë rëndësi për të përshkruar mirë
fushën e dizajnit. Kjo do të shmangë hendekun që mund të krijohet midis praktikës dhe teorisë në dizajn.
Për
arsye se dizajni përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh në praktikën
komerciale, nuk është shumë e qartë se çfarë ofron në të vërtetë ai. Mendohet
që dizajni në Shqipëri t’i ketë fillesat që me ndryshimin e sistemit. Kuptohet
që në mungesë të ekonomisë së lirë të tregut nga sistemi i kaluar, nuk mund të
flitej për një klient të edukuar. Megjithatë, nevoja për të edukuar klientin shqiptar është
shumë e ndjeshme edhe në ditët e sotme. Mungon veçanërisht krijimi i një imazhi
për disenjatorin, për profesionin dhe pozicionin e tij.
1.2. Dizajni dhe hulumtimi shkencor
Për
të përmbushur fushën e krijimtarisë dhe për të pasuruar konceptet, njerëzit
krijuan mjete ndihmëse (Stappers,
2006).
Kjo u arrit falë kërkimit shkencor, çka tregon një lidhje të fortë të dizajnit
me kërkimin shkencor. Në vitet e fundit dizajni nuk shikohet thjesht si një
profesion, por ai ka hyrë edhe në fushën e kërkimit shkencor. Kjo e bën
dizajnin një degë e cila po shkon drejt zhvillimit dhe përparimit të tij krah
për krah me fushat e tjera me të cilat ka lidhje e bashkëvepron.
Si
hulumtimi shkencor, ashtu dhe dizajni, janë tejet të rëndësishëm në
përmirësimin e të kuptuarit mbi gjendjen njerëzore. Me këto kërkime janë marrë
individë e grupe me talent që punojnë shumë. Si rezultat, janë përftuar një
seri metodash dhe teknikash në këtë fushë.
Dallimet në mes të dizajnit dhe kërkimit
shkencor shpesh janë theksuar herë si paragjykim e herë si mbipërgjithësime[1],
në konfrontimet mes disenjatorëve që vijnë nga praktika dhe kërkimit shkencor që vjen nga disiplinat fqinje.
“Kërkimi
shkencor është perceptuar si hulumtim për të kuptuar gjendjen e kaluar apo të
tanishme të botës dhe për të gjetur shpjegime pse mund të jetë kështu.”
Një
pyetje që ngrihet është se cilat janë ato aftësi që i bëjnë dizenjatorët të
ndryshëm nga inxhinierët apo shkencëtarët?
Kurrikulat
shumëdisiplinore të shkollave të dizajnit e integrojnë dizajnin në marketing,
inxhinieri, në të bukurën, në estetikë dhe funksionalizëm. Kjo do të thotë që:
a) Dizenjatorët
duhet të aftësohen në mënyrë që të përshtaten dhe të komunikojnë në disa
drejtime me të gjitha specialitetet dhe specialistët që lidhen me të.
b) Dizenjatorët
duhet të veprojnë edhe në mungesë të plotë të informimit.
c) Dizenjatorët
duhet të mbajnë në qendër të vëmendjes realizimin e produktit nëpërmjet këtyre
aftësive. Inxhinierët e dizajnit industrial duket qartë që janë në një nivel më
të lartë se ata të disiplinave të tjera të inxhinierisë. Këto aftësi janë njësoj
të rëndësishme në fushën e kërkimit shkencor edhe për dizajnin, veçanërisht në
kërkimin eksplorues, ku terreni është më shumë
i panjohur.
Për më tepër,
dizenjatorët në botë në shkollat e dizajnit
apo edhe diku tjetër janë të informuar dhe të trajnuar në mënyra të
menduari prodhimtare dhe vlerësuese.
Akademitë tradicionale
kanë theksuar mendimin vlerësues që karakterizohet nga logjika, deduksioni[2], përkufizimi
korrekt dhe në mënyrë eksplicite, si dhe nga orientimi drejt të pamundurës.
Dizenjatorët janë gjithashtu të fortë në të menduarit dhe mbështeten nga forma shenjash e simbolesh
vizuale, si: skica, gjeste, krijim modelesh etj. Në kërkimin shkencor vlerësohen aftësitë logjike,
ndërsa aftësitë krijuese i lihen intuitës personale, dhe ndonjëherë, edhe rastësisë.
Nëse kërkimi shkencor shihet jo si një fushë e cila pretendohet t’i përkasë një profesioni të caktuar,
por si përpjekje që rrit njohurinë, vendi i këtyre aftësive të dizenjimit brenda kërkimit shkencor bëhet
më i qartë. Nëpërmjet realizimit të produkteve, dizenjatorët thithin njohuri nga drejtime të ndryshme
dhe përballjen dhe e integrojnë e kontekstualizojnë këtë njohuri. Përfshirja e disenjatorëve në kërkimin
shkencor nuk është aq shumë problem motivimi, sesa problem metode, pasi shumica e dizenjtorëve
janë më shumë të interesuar dhe më të fokusuar te krijimi i efektit sesa te të shkruarit rreth tij.
Nevoja për të reduktuar ndarjen ndërmjet dizajnit dhe shkencës në koncept, mund të gjendet tek
zhvillimet e fundit në filozofinë dhe politikën e hulumtimit. Jo vetëm në dizajn, por edhe në zona
më të gjera të inxhinierisë dhe shkencës, kjo fushë është përballur më pyetjen se çfarë mund ose duhet
të jetë kërkimi shkencor.
Pyetja që unë ngre është: A duhet që komunikimi vizual, gjuha vizuale të mbetet vetëm një formë
e të shprehurit me anë të paraqitjes vizuale që ne shohim e kuptojmë, apo duhet të flasë dhe
të interpretohet si çdo fushë tjetër studimi?
Gjithkush e shikon botën nga mënyrë sesi e percepton ai botën. Kjo thënie filozofike ekzistencialiste
është me vend dhe na tregon relativitetin e asaj që njerëzit shohin, por edhe të asaj që ata kuptojnë.
Kjo kërkon që dizenjatori të zhvillojë, përveç krijimtarisë së tij vizuale, edhe një gjuhë komunikimi
shprehëse dhe interpretuese me të tjerët.
Dizenjatori përqendrohet të krijojë një komunikim në gjuhë vizuale. Kjo e bën atë pasiv
në të shprehurin dhe në interpretimin e punës së tij. Nëse dizenjatori, apo edhe studentët e dizajnit,
shtyhen dhe motivohen të shprehin me fjalë apo të shkruajnë rreth punës së tyre krijuese, kjo i shtyn
ata t’i afrohen kërkimit shkencor dhe të mbajnë lidhjen midis dizajnit dhe kërkimit shkencor.
Fusha e gjerë dhe e lirë e krijimtarisë dhe bota artistike e dizenjatorëve i ndihmojnë dizenjatorët
të dalin edhe jashtë kornizave dhe krijimtaria e tyre bëhet në këtë mënyrë shumë e larmishme
dhe zhvilluese.
1.3. Tendencat e fundit të dizajnit në botë
Dizajni grafik i vitit 2015 ka bërë një kapërcim të guximshëm nga trashëgimia estetike që dominonte
grafikët dhe firmat në gjithë këto vitet e fundit. Si shumë lëvizje në art, edhe në dizajn, përparimi
në materiale dhe mjete, në një farë mënyre, u japin pamje lëvizjeve të reja. Kështu, 2014 ishte
viti në të cilin puna artistike e krijuar në sferën digjitale doli në pah si një lëvizje estetike në vetvete.
1.3.1. Surealizmi digjital
Piktura e Foundryt dhe mjetet e
renderizimit Modo lejuan ilustratorë si Anny Wang të krijojnë punime mahnitëse arti
3D në 2014. Obsesioni i
tanishëm me median digjitale dhe turbullimi
(blurring) fizik dhe virtual ushqyen
një lëvizje të re surreale në vitin 2014. Surrealizmi digjital ka në qendër
imazhet e renderizuara digjitale, duke krijuar efekte 3D për sipërfaqe të
sheshta. Artistë të tillë si Anny Wang, me mjeshtëri zotëruan kryqëzimin e digjitalit
dhe analogut, duke futur në punë një kombinim të zanateve dhe teknologjisë 3D
për të krijuar një stil jete digjitale si në ëndërr.
1.3.2. Dizajni gjenerativ
Dizjani gjenerativ ka të bëjë me dizajnin e
krijuar duke përdorur algoritme softuerike dhe kompjuterike. Për koleksionin e
tyre, teknologjisti kreativ Paul
Ferragut dhe dizenjatori Ann-Kristin Abel të projektit Convivial Project
krijuan një alogaritëm procedurial të njohur si Fractal Brownian Motion
(lëvizja Fraktale Brownian). Kjo tendencë pati
sukses në 2014. Studio dizajni si Convival Project filluan të
përdorin teknologjitë gjeneruese (prodhuese) për të përshtatur modelet, duke u
bazuar në preferencat e njerëzve për dizajnin. Kjo lloj teknologjie tani jo
vetëm që është larg nga shuarja e kreativitetit, por i jep mundësi shprehjes së
vetvetes dhe unikes.
1.3.3. Arti optik
Arti
optik, i njohur shkurt edhe si op art,si
një formë e artit abstrakt që krijon iluzionin e lëvizjes dhe përdorimi i
përpiktë i modelit (pattern) dhe
ngjyrës, ose në të cilin dalin dhe mbivendosen modele konfliktuese. Një artist
i njohur i këtij drejtimi është Karan Singh, i cili kombinon modelin dhe
përsëritjen për të krijuar imazhe mahnitëse. Arti optik i 1960 ka ushtruar
ndikim të fortë vitin e fundit. Kjo duket në iluzionet optike, të cilat në
mënyrë të natyrshme të çojnë në mbretërinë digjitale, veçanërisht kur ato realizohen
me anë të formateve GIF dhe animacioneve të shkurtra.
1.4. Dizajni bashkëkohor në Shqipëri
Dizajni ka ecur me ritme të ngadalta
zhvillimi dhe vetëm në vitet e fundit janë vënë re disa ndryshime pozitive. Në
disa drejtime dizajni ka pasur një zhvillim të dukshëm e në disa drejtime ka
qenë më pak profesional. Në këtë drejtim dizajni i interierit ka ecur disi mirë
për shkak të kërkesës në fushën e ndërtimit dhe të arredimit të lokaleve.
Zhvillimi i ndërtimeve solli edhe një zhvillim të dizajnit të interierit në
vendin tonë. Siç vihet re edhe nga të huajt, e veçanta e lokaleve, bareve,
kafeneve, apo dyqaneve tona është që kanë investuar shumë në paraqitjen e tyre,
duke pasur edhe luks, ndryshe nga të huajtë, të cilët investojnë më shumë tek
stafi, pasi niveli i pagave të tyre
është më i lartë dhe e kundërta në vendin tonë, niveli i pagave të
punonjësve është më i ulët. Kjo kërkesë bëri që dizajni i interierit të
zhvillohet dhe të ecë me ritme të shpejta krahasuar me dizajnin e para 20
viteve.
Dizajni industrial ka ecur me ritme
më të ngadalta. Kërkesa ka qenë e ulët për këtë fushë, pasi në vendin tonë
industria është shumë pak e zhvilluar.
Ndërsa dizajni grafik dhe komunikimi
vizual po përparojnë me ritme më mesatare.
Në të gjitha fushat e dizajnit ka
një problem të komunikimit midis dizenjatorit dhe klientit. Arsyeja gjendet te
mungesa e një kulture të qytetarëve në lidhje me rolin dhe pozicionin e
dizenjatorit në punën dhe profesionin e tij. Klientët janë këmbëngulës dhe
imponues në vendimmarrje, pasi kështu e
konceptojnë rolin që u takon
atyre vetë. Klientët nuk e shikojnë dizenjtorin si një profesionist të cilit
duhet t’i besojnë dhe t’ia lënë në dorë punën e kërkuar, por si një punëtor të
punësuar që t’u kryejë detyrat që ata u japin. Kjo bënë që dizajni mos të jetë i
lirë, por të jetë i kufizuar dhe të drejtohet
në mënyrë strikte nga nevoja dhe kërkesa e klientit, duke mos mundur të ecë në
rrugën e duhur dhe profesionale.
1.4.1. Lindja e dizenjatorëve shqiptarë profesionistë
Në universitetet shqiptare për vite nuk
ka pasur degë të dizajnit. Në universitetin shtetëror dizajni edhe sot nuk është
hapur. Dizajni është hapur në disa universitete private. Dega e dizajnit është
në hapat e parë të një rruge të mbarë të zhvillimit të dizajnit në vendin tonë.
Problematika në Shqipëri është shumë e përgjithshme kur bëhet fjalë për
profesionet. Shkollat profesionale janë të pakta dhe jo në qendër të vëmendjes,
por problemi më i madh është mungesa e aplikimit të profesioneve të
specializuara. Ekziston një mani e përgjithshme që një person i vetëm të kryejë
disa profesione në të njëjtën kohë. Sipas mendimit tim Formimi i përgjithshëm
dhe orientimi i përgjithshëm prej shumë vitesh bëri që të krijohet kjo lloj
fryme. Një njeri që i bën të gjitha. Kjo ka sjellë mungesën e profesionalizmit
në vendin tonë. Akoma edhe sot universitetet kanë këtë orientim.
Po pyetja që ngrihet është se si
është mbuluar kërkesa për dizenjatorë. Kërkesa e bizneseve për dizenjatorë
mbulohej nga studentët e arteve, apo të inxhinierisë dhe arkitekturës, të cilët
bënin ndonjë kurs të programeve të dizajnit dhe pastaj punësoheshin. Aftësimin
e arrinin vetëm gjatë praktikës. Por edhe kjo aftësi është e limituar dhe
ngelet vetëm një profil pune i caktuar. Mungojnë bazat e dizajnit, orientimi,
niveli shkencor etj.
Ky problem ka bërë që sot të kërkohet
më shumë profesionalizëm nga disenjatorët, nevojitet një praktikë profesionale. Është e qartë që kërkesa e bizneseve që
kërkojnë dizenjatorë për tregun e punës duke vënë si kusht dy vjet punë
eksperiencë, ka ardhur nga paraqitja për punë e atyre që nuk janë disenjatorë profesionistë
të arsimuar në degë të dizajnit profesional nëpër universitete, si dhe nga
mungesa e një praktike profesionale.
Një pjesë e universiteve private që
kanë hapur degën e dizajnit nuk janë në
nivelin e duhur për të bërë një dizajn të mirëfilltë. Programi është i mbushur
me lëndë nga shkencat shoqërore, juridike ekonomike etj. Një përqindje e vogël u
është lënë lëndëve të dizajnit. Mungon edhe praktika. Por ndryshe qëndron
gjendja në Albanian University, i
cili tashmë ka hapur degën e dizajnit në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara.
Dizajni në Albanian University përbëhet
nga një staf i kompletuar me njerëz me pasion dhe vizion që duan ta çojnë
përpara dizajnin në vendin tonë. Nga ky universitet dua të veçoj prof. dr.
Hivzi Muharremin, dekan i degës së Dizajnit në Fakultetin e Shkencave të
Aplikuara, një njeri energjik dhe parimor, Gureta Breznica, shefe e
departamentit të dizajnit, dhe profesorin e komunikimit visual Muhamet Ahmeti,
të tre këta janë nga Kosova dhe po sjellin përvojën e tyre të dizajnit në vendin tonë. Përmendim gjithashtu edhe një
nga dizenjatorët më të mirë shqiptarë, Bashkim Zahaj, skenografi që u ndryshoi
fytyrën skenave të festivaleve tona dhe televizionit shqiptar, duke e ndarë një
herë e mirë nga dizajni i kornizuar i sistemit që nuk lejonte lirinë e të
shprehurit në art. Bashkim Zahaj e modernizoi atë duke i dhenë një pamje
bashkëkohore. Duke bërë një luftë prej artisti përballë kritikave të shumta nga
kolegë artiste e skenografë, ai fitoi dhe u vendos të kryesojë në krijimin e
një dizajni në televizion dhe në skenografi, duke lënë gjurmë në historinë e
lulëzimit të dizajnit në Shqipëri. Nga një bashkëpunim i këtyre profesorëve nga
dega e dizajnit, si dhe i mjaft profesorëve të tjerë të talentuar, do të dalin
gjeneratat e para të studentëve që do të bëhen themel për ndërtimin e një
dizajni, i cili do të ecë krah përkrah me botën perëndimore.
1.5. Përfundime
Shoqëria
ka nevojë për komunikim vizual efektiv, efikas dhe tërheqës. Rritja e
profesionalizmit dhe cilësisë së imazhit reklamues në televizor apo letër është
një kërkesë e domosdoshme. Në këto kushte, kërkohet që përmbajta e kurrikulave
të arsimit në degën e dizajnit në universitete të ofrojnë një përshkrim të
besueshëm të praktikës profesionale dhe të lëndëve të dizajnit. Mungesa e stafit të
specializuar në Shqipëri në fushën e dizajnit ka sjellë kërkesën e përmbushjes
së këtij boshllëku me staf të huaj.
Gjithashtu,
kurset universitare bazë të dizajnit duhet të përfshijnë teori shkencore dhe
aftësi kërkimore si pjesë e kurrikulave të tyre dhe dizenjatorët duhet të luajnë rol në projektet kërkimore.
Ngritja
e nivelit arsimor, duke kaluar në shkollat masteriale dhe doktorale, përbën një
objektiv që duhet realizuar, qoftë edhe duke marrë staf të huaj në universitet
tona, në mënyrë që të arrihet qëllimi për të krijuar një dizajn vendas që i
arrin nivelet bashkëkohore.
Dizajni
në Albanian University po ecën në drejtimin e
duhur me stafin e përgatitur e të pasionuar për edukimin e gjeneratave të para
të disenjatorëve profesionistë në Shqipëri. Në këtë universitet po hidhen
themelet e një dizajni bashkëkohor që ecën me të njëjtën ritëm dhe është i aftë
të konkurrojë me dizajnin perëndimor.
References
Stappers PJ, (2006) Designing as a Part of Research.
In: van der Lugt R, Stappers PJ
(eds): Design and the Growth of Knowledge. ID-StudioLab Press, Delft,
the Netherlands
(available from
http://studiolab.io.tudelft.nl/static/gems/symposium/
zelfprintversie100dpi.pdf)
Akama, Y., & Barnes, C.
(2011). Probious: Researching Australian Communication
Design Through Collaboration and
Design Practice. Studies in Material Thinking, 6.
Retrieved March 31, 2014,
Beirut, M. (1994). Why designers
can’t think. In: M. Beirut, W. Drenttel, S. Heller, D.K. Holland (Editors), Looking
Closer 1. Critical writing on Graphic Design (pp 215 – 217). New York: Allworth
Press.
DG Enterprise and Industry (2012).
Design for Growth & Prosperity. Report and
Recommendations
of the European Design Leadership Board. (Retrieved March 31, 2014,
Dubberly, H. (2004). How
do you design? Dubberly design office. (Retrieved on May 31, 2014
Gero, J., & Kannengiesser, U.
(2004). The situated function – behaviour – structure
framework. Design
Studies. 25. 373 – 391.
Green, B. (2009). Understanding
and Researching Professional Practice. Rotterdam:
Sense publishers.
Schön, D. (1983). The
reflective practitioner: how professionals think in action. New
York: Basic books.
Tindale, C.W. (2004). Rhetoric
Argumentation. Principles of theory and practice. London:
Sage Publications.
Poggenpohl, S. (Editor) (2012). Visible
language. Special issue ‘Envisioning a future of design education.’
Volume 46 (1/2).
Tan, S., & Mellis, G. (2010).
An activity theory focused case study of graphic designers’ tool-mediated
activities during the conceptual design phase. Design
studies. 31. 461 – 478.
Waarde, K. van der., Vroombout, M.
(2012). Communication Design Education: could nine reflections be sufficient? Visible
language. 46 (1/2). 8 – 35.
Karel van der Waarde studied
graphic design in the Netherlands (The Design Academy, Eindhoven [BA]) and in
the UK (De Montfort University, Leicester [MA], and the University of Reading
[PhD]).
In 1995, he started a design -
research consultancy in Belgium specializing in the testing of information
design. His company develops prototypes and tests information about medicines
for patients, pharmacists, nurses, and doctors. Most projects combine printed information
and digital information and are firmly based on the actions and reactions of people.
Van der Waarde is a life-fellow of
the Communications Research Institute (Melbourne, Australia), a board member of
International Institute for Information Design (IIID, Vienna, Austria) and
editorial board member of Information Design Journal, Iridescent, the Poster and Visible
Language.
Subscribe to:
Posts (Atom)